Lajme

MD pas vizitës në Hagë: Pajisja me viza e familjarëve, shujtat javore të njëjta, janë disa nga shqetësimet e të paraburgosurve

Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë

Procedurat e lëshimit të vizave për familjarët dhe shujtat javore të njëjta, kanë qenë disa nga shqetësimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, përcjell Shqip.com.

Përmes një njoftimi, Ministria e Drejtësië tha se në vizitën që i kanë bërë të paraburgosurve atje, disa nga vështirësitë për ta janë edhe zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavëve si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatëve.

“Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e MD-së.

Sipas njoftimit, shqetësimet e tyre janë diskutuat edhe në takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, dhe zyrtarë tjerë që janë zotuar se do të lehtësojnë procedurat për kompletimin e dokumenteve të familjarëve dhe pajisjen e tyre me vizë për një kohë më të gjatë.

Tutje, Ministria ka bërë të ditur se do t’i kryejë të gjitha obligimet e saj në raport me shtetasit të cilët po mbahen në paraburgim.

Ndryshe, në paraburgim gjenden ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj, Jakup Krasniqi, Hysni Gucati, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.

Ata po akuzohen nga Gjykata Speciale për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”./Shqip.com