MD në pritje të vendimit të Gjykatës: E pamundur të hapet një konkurs i ri për noterë

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se është e pamundur aktualisht që të hapet një konkurs i ri për noterë, pasi janë në pritje të vendimit të Gjykatës për këtë, njofton Shqip.com.
Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare, kjo ministri thotë se nuk kanë informacione se në çfarë faze të trajtmit janë këto lëndë, teksa ka bërë thirrje të gjykata që të veprojë sa më shpejt.
“Për shkak të kërkesave të mëdha që kemi pranuar lidhur me hapjen e konkursit për noterë të rinj, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se përderisa Vendimin mbi anulimin e provimit të noterisë, palët e pakënaqura e kanë kontestuar në Gjykatë, pa përfunduar ky proces Ministria e Drejtësisë, edhe përkundër vullnetit për të hapur konkurs sa më parë, një gjë e tillë aktualisht është e pamundur”, thuhet në njoftim.
“Ministria e Drejtësisë nuk ka informacione se në çfarë faze të trajtimit janë këto lëndë, por apelojmë që gjykata të veprojë sa më parë. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për nevojat e qytetarëve por edhe për të ndaluar monopolin dhe për të qenë në përputhje me ligjin për noterinë”, shtohet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas MD-së në Kosovë, aktualisht janë 57 noterë, ndërsa në 15 komuna nuk ka noterë. Andaj, ata kanë caktuar ushtrues të detyrës për noterë derisa të caktohen të rinjtë.
“Në këto komuna Ministria e Drejtësisë ka caktuar ushtrues detyre të noterit me qëllim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës. Shumë prej qytetarëve janë ankuar për shkak të distancës fizike me noterët që ushtrojnë detyrën për komunat përkatëse por kjo është e vetmja zgjidhje që kemi për momentin”. /Shqip.com