Lajme

Ish-ambasadori Cufaj: Kurti nuk dallon nga të tjerët, partia menaxhon institucionet

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka thënë se Kosova duhet ta pranojë planin franko-gjerman dhe se kryeministri Albin Kurti duhet të pajtohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sepse Kosova nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen perëndimore.

Në një editorial për Frankfurter Allgemeine Zeitung, Cufaj ka kritikuar Kurtin për kokëfortësi, duke thënë se nuk ka dallim nga paraardhësit e tij në institucionet e Kosovës.

Pas dy vitesh në pushtet duket se Kurti nuk ka asnjë ndryshim nga paraardhësi i tij. Shqiptarët nga Kosova po emigrojnë masivisht në Gjermani. Korrupsioni dhe nepotizmi ende mbretëron, partia menaxhon institucionet”, thotë ish-ambasadori Cufaj.

Perëndimi, shkruan ai, ka dalë me një propozim bazuar në marrëveshjen mes dy Gjermanive.

“Kosova duhet ta pranojë atë propozim. Por këtu ka dy probleme. E para është se Kosova ka frikë se serbët, të cilët kontrollohen politikisht nga Beogradi, mund të kërkojnë ribashkim me Serbinë. Problem tjetër, nga këndvështrimi im, është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Cufaj.

Sipas tij, të gjithë u zgjuan kur Putini marshoi në Ukrainë.

Papritmas Ballkani u bë sërish temë. Më herët në Bruksel ka pasur bisedime të pafundme dhe marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë, 33 marrëveshje të nënshkruara që nuk janë zbatuar. Me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, gjithçka u bë e parëndësishme”, shprehet Cufaj.

Ish-ambasadori shprehet se presidenti serb, Vuçiq e ka pranuar me ndrojtje planin franko-gjerman, ndërsa mesazhi i Kurtit – siç e kupton opinioni – është refuzimi i formimit të Asociacionit.

Cufaj kujton se Kurti ende këmbëngul se një bashkim i tillë mund të ekzistojë vetëm në rastin e njohjes së Kosovës nga Serbia.

Ajo i bezdis partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht amerikanët dhe gjermanët. Pas dy vitesh në pushtet, Kurti do të duhet të heqë dorë nga të dyja premtimet parazgjedhore. Nuk ka pasur jetë më të mirë për qytetarët dhe Asociacioni mundet ta pengojë”, shkruan Cufaj.

A duhet që Perëndimi t’i kthejë shpinën Kosovës, për të cilën ka vendosur mijëra ushtarë për më shumë se dy dekada për të ruajtur paqen e brishtë – vetëm sepse Kurti refuzon një marrëveshje me Serbinë. Kosova nuk mund të përballojë të qëndrojë pa mbrojtjen e Perëndimit”, përfundon teksti i të përjavshmes Frankfurter Allgemeine Zeitung, të sjellur nga DW në gjuhën serbe.

/Shqip.com