Polonia ende ka dyshime për dërgimin e avionëve në Ukrainë

Një nga aleatët më të afërt të Ukrainës ka shprehur dyshime nëse do të ishte në gjendje të furnizonte presidentin Volodymyr Zelenksy me avionët luftarakë, për të cilët ai thotë se janë të nevojshëm për të fituar luftën me Rusinë.
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, në intervistë ekskluzive me gazetaren e BBC-së, Laura Kuenssberg, tha se dërgimi i avionëve F-16 do të ishte një “vendim shumë serioz” që “nuk ishte i lehtë për t’u marrë”.
Polonia ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës që nga agresioni i Rusisë.
Muajin e kaluar, ishte një nga disa vende që u zotuan të dërgonin më shumë tanke, municione dhe pajisje në vijën e frontit.
Lideri i Ukrainës e përsëriti atë thirrje në Paris dhe Bruksel, në një largim të rrallë nga vendi i tij, nën masat më të forta të sigurisë. Ai bëri bujë në mbarë botën.
Në Varshavë, Presidenti Duda tha se dërgimi i avionëve F-16 do të përbënte një “problem serioz” sepse, me më pak se 50 avionë në forcat ajrore polake, “ne nuk kemi mjaft… dhe do të na duheshin shumë më tepër prej tyre”, shkruan BBC.
Ai gjithashtu theksoi se avionët luftarakë, si F-16, kanë nevojë për “qasje shumë serioze për mirëmbajtje”, kështu që “nuk mjafton vetëm të dërgohen disa avionë”.
/Shqip.com