Lajme

Presidenti serb: Kurrë s’e njoh Kosovën

Ka vazhduar edhe sot shfaqja e lënë në gjysmë në Kuvendin e Serbisë. Aleksandar Vuçiq ka thënë se opozitarët deshën ta rrihnin një ditë më parë. Presidenti serb dhe blloku opozitar u akuzuan mes vete se kush më shumë e kishte ‘tradhtuar Kosovën’. Vuçiq përmendi Albin Kurtin, Hashim Thaçin e Hajredin Kuçin. Mes tensionesh, u tha deputetëve se nuk e njeh kurrë Kosovën dhe nuk është pro anëtarësimit të saj në OKB.

Seanca dje në Parlamentin serb ka zgjatur rreth 12 orë. Do të raportonte Presidenti Aleksandar Vuçiq, për negociatat me Kosovën.

Vuçiq, që u ka premtuar deputetëve se do t’i përgjigjej secilës pyetje, është pritur me duartrokitje nga shumica dhe me fishkëllima nga opozitarët. “Shfaqjen” po e përcillnin si të ftuar specialë drejtuesit e Listës Serbe. Në mesin e tyre edhe Milan Radojçiq, që është në kërkim për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Deputetët e opozitës po kërkonin që në këtë seancë të diskutohet plani franko-gjerman, në të kundërtën, debati nuk kishte kuptim. Kryeparlamentari serb, Vladimir Orliq, ka thënë se plani franko-gjerman nuk mund të diskutohet pasi është një “non-paper”.

Në fjalën hyrëse, Vuçiq ka thënë se autoritetet kosovare kanë dashur që Serbia të hyjë në luftë “me NATO-n dhe gjithë botën”.

Pas përfundimit të fjalimit të tij, Vuçiq u duartrokit nga deputetët e shumicës për disa minuta. Opozitarët zbuluan banerë, ku kishin shkruar “Vuçiq, e tradhtove Kosovën”, “Vuçiq, e tradhtove Serbinë”, dhe baner me portretin e Ivanoviqit. Presidenti serb i komentoi këto banerë, duke u thënë kundërshtarëve të tij që po i shfaqnin ato, se ai e kishte çuar djalin e tij për ta vizituar në burg Ivanoviqin, për t’i dhënë përkrahjen atij dhe familjes së tij.

Vuçiq foli rreth 80 minuta para deputetëve dhe në vend të komentimit të planit franko-gjerman, që ia kërkonte opozita, zbuloi një plan 10-pikësh për Serbinë ku përmendet edhe Kosova.

Deputetët e opozitës që kanë marrë fjalën, kanë thënë se është problematike, për aq kohë sa Serbinë e përfaqëson Vuçiq. Po ashtu, kanë pyetur përfaqësuesit ndërkombëtarë se pse po mbajnë “negociata sekrete” me dikë që ka kapur të gjitha institucionet.

Në mesditë, Kuvendi i Serbisë dukej si stadium, ku dëgjoheshin thirrje e brohoritje nga të dyja palët. Opozitarët kishin vazhduar të përmendin “tradhtarin”, me sloganet “ja kapitullimit”. Vuçiq, që më herët kishte përmendur amnistimin e shqiptarëve menjëherë pas luftës, më vonë i lexoi emrat e të amnistuarve, duke përdorur këtë kundër opozitës.

Tani ju ka rënë në mend”, u tha Vuçiqi kundërshtarëve që thërrisnin “ne nuk do ta dorëzojmë Kosovën”.

Situata eskaloi pas disa replikave të Vuçiqit dhe deputetit opozitar Boshko Obradoviq, të cilit i kërkohej disa herë që të qetësohej. Gjatë fjalimit të Obradoviqit, i cili po fliste në emër të bllokut opozitar të krahut të djathtë dhe disa intelektualëve të pavarur, deputetët e Vuçiqit nisën sharjet ndaj tij.

Pas pak, deputetët e opozitës u nisën në drejtim të Presidentit serb. Situata ishte gati për konfrontim fizik, derisa po gjuheshin gjësende, e po bërtisnin. Deputetët e partisë së Vuçiqit u mblodhën rreth Vuçiqit, me gjasë për t’i krijuar një mburojë atij.

Në këtë tollovi, Vuçiq, ndër të tjera, u tha atyre se “askush nuk do të nënshkruajë asgjë” në lidhje me Kosovën. Pas disa minutash tension, Vuçiq u ka kërkuar deputetëve të partisë së tij që të uleshin në vende, duke thënë se e di “sa frikacakë” janë deputetët e opozitës.

Deputetët progresistë thirrën “Aco Srbine”.

Edhe pas një pauze në përpjeke për ta qetësuar situatën, Presidenti serb kishte vazhduar me të njëjtën gjuhë ndaj deputetëve të krahut të djathtë, Obradoviqin dhe dy të tjerët të cilët i akuzonte se deshën të rrahnin.

Ka njerëz në sallë, të cilëve u intereson Kosova. Edhe Hashim Thaçi e Hajredin Kuçi më janë gjuajtur mua dhe u jam përgjigjur se do ta mbrojë Kosovën”, ka thënë Vuçiq.

Disa herë gjatë tensioneve në Kuvend, presidenti serb tha se nuk do ta njihte kurrë Kosovën dhe se nuk do të pranonte kurrë të mos e kundërshtojë anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Vuçiq dhe vartësit e tij kryesisht akuzuan pasardhësit e Partisë Demokratike të Serbisë (DSS). Deputeti i koalicionit qeveritar, Dragan Markovic Palma, pasi u ofroi deputetëve të opozitës trajnim për t’u përleshur fizikisht, tha se: “DSS e ka dorëzuar Millosheviqin në Vidovdan, ndërsa ne e kemi çuar Hashim Thaçin në Hagë”.

Vuçiq tha më vonë se si një i ri është çuditur se pse po negocionte lideri famëkeq serb, Sllobodan Millosheviq me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, duke thënë se ishte një injorant që nuk i kuptonte rrethanat.

Diskutimet u mbyllën rreth orës nëntë të mbrëmjes për të vazhduar të premten.

Vuçiq u prit sërish duke u duatrokitur nga deputetët e shumicës dhe këtë herë në krah kishte vetëm Petar Petkoviqin, drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë serbe.

Përveç bllokut të djathtë, kësaj here foli deputeti një lëvizjeje të gjelbër, Robert Kozma, i cili akuzoi Vuçiqin që ka vazhduar negociatat me Kosovën për të ndenjur në pushtet dhe tha se partia e Vuçiqit ka krijuar frikë dhe terror për serbët e veriut të Kosovës. Deputetët e SNS-së iu përgjigjen menjëherë duke i thënë se ai nuk e di as ku i bie Kosova.

Vuçiq iu përgjigj këtij deputeti duke thënë se ai është krenar që është sanksionuar gjatë viteve të ’90-ta, pasi i ka kundërshtuar “agresorët e vendit të tij” dhe se nuk negocion për pushtet.

Presidenti serb u është rikthyer incidenteve të djeshme, duke ripërsëritur se opozitarët deshën ta godisnin fizikisht.

“Risia” e Vuçiqit sot ishte se erdhi edhe me disa fotografi të printuara.

Për t’iu përgjigjur një deputeti opozitar, Presidenti serb tregoi një fotografi të Kryeministrit Albin Kurtin me Kryediplomatin Nikolas Dendias. Më pas, tregoi të njëjtën fotografi, por në vend të Dendijasit ishte Vuçiq, duke thënë se deputeti bën të tilla fotomontazha.

Edhe të premten, opozita shfaqi banerët e njëjtë kundër Vuçiqit, si një ditë më herët. Edhe sot, seancën nga galeria e Kuvendit serb po e përcillnin Radojçiqi dhe zyrtarët e tjerë të Listës Serbe.

/Shqip.com