Lajme

Lajçaku bën thirrje për ulje të tensioneve në veri: Të lejohet liria e lëvizjes

I dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë thirrje për ulje të tensioneve në veri të Kosovës, pas vendimit për reciprocitetin e targave.

Për situatën e krijuar atje, ka thënë se i ka informuar edhe ambasadorët.

Përmes Twitterit, Lajçak ka theksuar se është e rëndësishme rivendosja e paqes dhe lejimi i lëvizjes.

“I informova Shefat e Misioneve të BE-së mbi situatën në veriun e Kosovës. Jam i shqetësuar dhe thërras për deskalim të menjëhershëm. Është e rëndësishme që të ulen tensionet, të rikthehet atmosfera paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes”, ka shkruar ai.

Më tej, ka ripërsëritur se BE-ja është e gatshme për të lehtësuar bisedimet mbi të gjitha çështje e hapura të dialogut.

Lexo edhe:
Kurti – vendeve të QUINT-it për reciprocitetin e targave: Për Kosovën dhe Serbinë vlen standardi i njëjtë

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk do të heqë dorë nga reciprociteti për targa të përkohshme për veturat që vijnë nga Serbia. Sipas tij, ose të dyja shtetet kanë të drejtë, ose të dyja e kanë gabim./SHQIP.com