Lajme

Trajkoviq-Vuçiqit: Mjaft me dizinformimin e serbëve në veri të Kosovës

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për siç ka thënë ajo “dezinformim të serbëve”.

Përmes një postimi në Twitter, i ka bërë thirrje Vuçiqit të “ndalojë dezinformimin e serbëve në veri, por t’u tregojë atyre të vërtetën personalisht”.

“Në vitin 2016 keni nënshkruar një marrëveshje për tabelat me afat skadimi për pesë vite, së cilës sapo i ka kaluar afati. Kjo marrëveshje u nënshkrua si pjesë e negociatave të Brukselit, rezultatet e të cilave ju i zbatoni në mënyrë jo transparente që nga viti 2013, përmes elementëve kriminale në terren dhe Listës suaj ‘satelitore’ politike Srpska”.

“Ngjarjet e sotme janë pasojë e veprimeve tuaja që Prishtina tani po i përdor. Mjaft më me destabilizimin e komunitetin tonë me intriga dhe gënjeshtra”, ka shkruar Rada Trajkoviq.

Reagimi i saj vjen pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mos lejojë automjetet nga Serbia të futen në territorin e saj pa u pajisur me targën e përkohshme të Republikës së Kosovës.

Vendimi është nënshkruar të hënën, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Për ta monitoruar zbatimin e këtij vendimi, mëngjesin e sotëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje./SHQIP.com