Lajme

Sulmohet me armë zjarri një automjet zyrtar i policisë në veri

Një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës është sulmuar me armë zjarri këtë të premte në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se person/a të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor të Zveçanit.

“Fatmirësisht nuk raportohet për zyrtar policor të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.

Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, theksohet se njësitet kanë arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar e cila është gjendur e braktisur në një rrugë malore.

“Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distance prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur”, theksohet në njoftim.

Sipas Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me prokurorin kompetent rasti është inicuar si “Vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar”.

/Shqip.com