Lajme

Gjobat anti COVID – të jashtëligjshme

Foto e ilustruar

Shqiptimi i gjobave për mosrespektim të masave anti-COVID nga ana e Policisë së Kosovës, po konsiderohen të jashtëligjshme, transmeton Shqip.com.

Kështu e konsideron njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, i cili thotë se në asnjë vend të botës, qytetarët nuk gjobiten për këtë çështje.

Ai thotë se këtë duhet ta bëjnë zyrtarët e Inspektoratit Shëndetësor, e assesi zyrtarët policorë.

“Realisht jemi në një gjendje shumë të rënduar të shëndetit publik, gjegjësisht sigurisë shëndetësore, dhe kur në një kohë nga institucionet u liruan në mënyrë të pakontrolluar lëvizjet, tubimet, dhe përnjëherë reaksionet, mendoj e kanë sjellë këtë gjendje”, ka thënë Ibishi për EO.

“Çështja tjetër është e papranueshme që Policia t’i shqiptojë këto gjoba, askund në botë nuk ka që Policia t’i shqiptojë gjobat e një shërbimit tjetër. Policia e kryen punën e asistentit, do të thotë i asiston zyrtarëve të Inspeksionit Shëndetësor”, shtoi ai.

Sipas Ibishit, policia po e krijon një imazh të keq për veten, por njëkohësisht edhe për punën që e bën, “për arsye krijon një mangësi në kryerjen e rregullt të detyrave të veta, siç e ka sipas ligjit të policisë”.

Teksa ka folur për këtë çështje, Ibishi fton qytetarët që t’i respektojnë masat anti-COVID.

“Mendoj se Ligji si i tillë duhet të zbatohet, ai është miratuar nga Kuvendi dhe duhet të zbatohet. Mendoj se më shumë duhet të merremi me vetëdijesim, e më pak me gjoba”, u shpreh ai. /Shqip.com