Lajme

Caktohet data për fillimin e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Ish-krerët e UÇK-së
Ish-krerët e UÇK-së

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet që të fillojë me datën 1 mars nëse nuk ka rrethana përjashtimore.

Kjo është caktuar me urdhër të kryetari të trupit gjykues, Charles L Smith III, i cili po ashtu ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të dorëzojë mocionet deri me 1 shkurt.

Krahas kësaj, palët pjesëmarrëse janë urdhëruar të bëjnë përgjigjet e tyre  jo më vonë se data 8 shkurt, ora 16:00, raporton Betimi për Drejtësi.

ZPS është urdhëruar që të dorëzojë mocionet lidhur me grupin e dytë të 12 dëshmitarëve brenda 15 marsit 2023. Pala mbrojtëse dhe mbrojtësja e viktimave janë urdhëruar që t’i dorëzojnë përgjigjet ndaj këtyre mocioneve nëse dëshirojnë jo më vonë se 27 marsi 2023.

“Urdhri që ka të bëj me afatin për kërkesat për viktimat pjesëmarrëse në proces, zyra administrative kërkohet të dorëzojë aplikimet për pjesëmarrjen e viktimave brenda datës 15 shkurt. Palët kërkohet të paraqesin mocionet lidhur me bazën ligjore për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e përbashkët nëse dëshirojnë të bëjnë një gjë të tillë deri jo më vonë 23 shkurti”, ka thënë ai.

Tutje, ZPS dhe pala mbrojtëse janë urdhëruar të dorëzojnë mocionet për faktet e gjykuara para 1 marsit. Palët janë urdhëruar që nëse dëshirojnë të dorëzojnë përgjigjet e këtyre mocioneve para datës 3 prill 2023 dhe kundërpërgjigjet nëse dëshirojnë mund të dorëzohen jo më vonë se 10 prill.

ZPS është urdhëruar të dorëzoj mocionin e parë të rregullës 155 para 1 marsit.

Sipas urdhrit, mbrojtja dhe mbrojtësit e viktimave mund të përgjigjen jo më vonë se 22 marsi, derisa ZPS mund të kundërpërgjigjet brenda datës 29 mars.

Gjykatësi bëri të ditur se konferenca përgatitore e ZPS-së për gjykim do të mbahet me 17 shkurt 2023.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

/Shqip.com