Gjykata asnjëherë nuk e dënoi Kobrën me burgim efektiv

Nga 16 aktgjykimet dënuese ndaj Kobrës, nuk është marrë asnjë vendim me burgim efektiv.
Prej tyre, në 12 raste Dibran Hoxhaj është obliguar të paguajë gjobë ndërsa në 4 raste është dënuar me kusht.
Me gjithë insistimin e “Betimit për Drejtësi”, për të zhvilluar intervistë me kryetaren e Gjykatës Themelore në Prizren, gjykatësen Shpresa Emra ka refuzuar të prononcohet.
Megjithëse në kërkesën për intervistë është theksuar se fokus është edhe e kaluara e tij kriminale, Emra duke iu referuar fazës hetimore të rastit të 3 janarit, arsyetohet se nuk është kompetente të deklarohet.
“Ju informojmë se Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra, ka analizuar dhe vlerësuar kërkesën tuaj, mirëpo sipas Opinionit të Komitetit Këshilldhënës për Etikë Gjyqësore me numër KKEGJ.Nr.3/2022 të datës 12 korrik 2022 është rekomanduar si shkelje të detyrave të gjyqtarit, nëse gjyqtari “bënë deklarata publike gjatë procedurave që janë duke u zhvilluar e të cilat mund të ndikojnë negativisht në gjykim të drejt dhe trajtim të barabartë të palëve në procedurë ose të cilat mund të dëmtojnë besueshmërinë dhe reputacionin e gjykatës apo i komunikon informata publikut rreth përbërjes së paneleve gjyqësore, dëshmive dhe vendimeve që kanë të bëjnë me ndonjë rast, përveç nëse zbulimi i një informacioni të tillë kërkohet me ligj”. Andaj Kryetarja e Gjykatës, vlerëson se nuk ka autorizimet dhe nuk është kompetente të flet dhe të prononcohet për temën të cilën i referoheni”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim me Media dhe Publikun të Gjykatës Themelore në Prizren.
E pagesa e dënimeve të shqiptuara nuk ishin problem për Kobrën. Nga 12 dënimet me gjobë, ai pagoi 14 mijë e 200 euro nga viti 2004 deri më 2021.
Por, me këtë politikë ndëshkimore nuk janë arritur qëllimet e dënimeve që parashihen me Kodin Penal të Kosovës./BetimipërDrejtësi
/Shqip.com