Kurti pas takimit me ambasasdorin gjerman: Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar ishin temat e diskutimit
Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes Gjermanisë dhe Kosovës ishin temat e diskutimit në takimin e kryeministrit, Albin Kurti dhe ambasadorit gjerman në Kosovë, Joern Rohde, njofton Shqip.com.
Përmes një njoftimi për media, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se ky takim ka ardhur pas takimit të mbajtur në Tiranë mes Kurtit dhe kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel.
“Ky takim me ambasadorin erdhi pas takimit të mbajtur në Tiranë me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, dhe diskutimin për çështje bilaterale dhe regjionale. Kryeministri Kurti e vlerësoi vullnetin e shprehur nga kancelarja Merkel për të shtuar bashkëpunimin në rajon, gjithnjë në frymën e integrimeve në Bashkimin Evropian”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se në këtë takim është biseduar edhe për mbarëvajtjen e mbledhjes së përbashkët të enjten mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Kryeministri theksoi se kjo mbledhje e parë është shprehje e gatishmërisë dhe interesimit për të shënuar një fazë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe realizimit të qëllimeve të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor si rajon i paqes së qëndrueshme, sigurisë afatgjate, demokracisë dhe zhvillimit socio-ekonomik”, thuhet ndër tjerash në njoftim./Shqip.com