Ambasada britanike: 117 afganë sot zhvendosen nga Kosova për në Britani

Ambasada e Britanisë në Prishtinë ka njoftuar se 117 shtetas afganë, të cilët janë strehuar përkohësisht në Kosovë, të enjten do të nisen për në Britaninë e Madhe.
Ky grup që po largohet, deri më tash ishte i strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Në këtë kamp ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.
Këta shtetas afganë janë larguar nga Afganistani pasi ekziston rreziku që “do të persekutohen” nga talebanët, të cilët e morën pushtetin muajin e shkuar.
Ambasada ka treguar se 2000 ish-punonjës afganë në NATO dhe familjarët e tyre janë evakuuar në total nga Afganistani. Ndërsa 800 prej tyre kanë akomoduar përkohësisht në Kosovë.
“Forcat e armatosura të Britanisë nën komandën e NATO-s janë vendosur në Kosovë dhe janë në ballë të operacionit për të përkrahur strehimin e tyre dhe zhvendosjen. Britania është e përkushtuar të strehojë afganë që kanë punuar në NATO. Jemi shumë falënderues për bujarinë e Kosovës në mikëpritjen e këtyre njerëzve në nevojë dhe që kanë ndihmuar NATO-n në këtë periudhë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Britanisë në Kosovë.
971 është numri i saktë i të ardhurve nga Afganistani në Kosovë vetëm deri në mesditën e së hënës.
Bëhet e ditur se 810 refugjatë janë vendosur në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj, kurse 161 në kampin Bondsteel, po ashtu në këtë komunë.
Shtetasit afganë do të qëndrojnë në Kosovë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet tjetër anëtar të NATO-s.
Kosova pritet të strehojë gjithsej rreth dy mijë shtetas afganë.
Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.
Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.
Mijëra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. /SHQIP.com