PDK e dërgon në Kushtetuese, Ligjin për Zyrtarët Publik

Partia Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar në kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e Ligjit për zyrtarët Publik.
Përmes një konference për media nga deputeti Mergim Lushtaku, ka thënë se me Ligjin për Zyrtarë Publik, është bërë shkelje kushtetuese.
“Sot me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me kolegun tim nga Kabineti për Qeverisje të Mirë, Përparim Gruda, kemi ardhur në Gjykatën Kushtetuese për të paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Zyrtarët Publik. Ne mendojmë se është bërë një shkelje e radhë se Kushtetutës”.
Lushtaku tha se është shkelur dinjiteti i qytetarëve të Kosovës dhe besojnë që ka mjaftë arsye që ai të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Është shkelur dinjiteti i nëpunësve publik dhe civil, është shkelur dinjiteti i qytetarëve të Kosovës dhe prandaj kemi menduar që katër pikat e shkeljeve në këtë ligj, t’ia paraqesim Gjykatës Kushtetuese dhe ne mendojmë se ka bazë të mirëfilltë që Gjykata Kushtetuese jo vetëm të pezullojë por edhe të shfuqizojë Ligjin për Zyrtarët Publik në përgjithësi”.
Sipas Lushtakut, me këtë ligj po legjitimohet politizimi i administratës publike.
“Kemi parë se me Ligjin për zyrtarët publik po legjitimohet politizimi i administratës publike, po nënshtrohen dhe degradohen shërbyesit civil. Ne kemi konsideruar se me këto nene specifike t’i prezantojmë qëndrimet tona dhe të PDK-së, dhe ta kundërshtojmë këtë ligj me anë të kërkesës në kushtetutshmëri”.
Për dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese ishte deklaruar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
/Shqip.com