Kurti: Jam kureshtar të di se cili prokuror e bëri kërkesën për lirimin e Dejan Pantiqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur rreth ndryshimit të masës së sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak, të ish-policit serb, të akuzuar për terrorizëm, Dejan Pantiq.
Ai ka thënë se është kureshtar të di se kush është prokurori që ka bërë kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Pantiqit dhe cili gjyqtar e ka aprovuar.
“Kur ke akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka theksuar se ka qenë i informuar mbi gjendjen shëndetësore të ish-policit Pantiq, duke shtuar se i njëjti kishte qenë në grevë urie.
“Unë nuk e di këtë çështjen gjyqësore procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahej në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar në qëndrim të paraburgimit. Ai ka statusin e të paraburgosurit dhe pa statusin e të pandehur për terrorizëm.
Ajo çfarë unë kam dëgjuar është se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër do të mund të dërgohej në spital e që është e kuptueshme e sa është e arsyeshme e vendos gjyqësori”, ka thënë Kurti.
/Shqip.com