Lajme

Nga 1 shkurti pagat merren sipas ligjit të ri

Nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi Ligji i Pagave që është votuar në Kuvendin e Kosovës gjatë kësaj jave.

Kështu ka bërë të ditur, kryeministri i Kosovës në konferencën e sotme për media, së bashku me ministren, Artane Rizvanolli.

“Prej 1 shkurtit hyn në fuqi, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga që është 745 milionë euro. Për neve pikënisja është tërësia. Andaj ne se kemi pasë si pikënisje vlerën e koeficientit, por tërësinë e buxhetit. Në muajin janar kjo do të vendoset sigurisht dhe pas 1 shkurtit do të fillojnë pagat me Ligjin e Pagave”, tha Kurti.

Ai ka njoftuar se caktimi i vlerës së koeficientit ende nuk është bërë dhe se do të ndodhë gjatë muajit janar.

“Ne nuk mundemi ta përcaktojmë koeficientin në Ligjin e Pagave sepse kjo lidhet me buxhetin dhe do ta bëjmë në muajin janar. Ju po kërkoni tash përafërsisht sot më 24 dhjetor, unë po kërkoj pak durim prej juve dhe jo përafërsisht, por saktësisht në janar 2023”, ka theksuar Kurti.

Tutje, i pari i ekzekutivit është shprehur se Ligji i Pagave ka marrë kohë më shumë se sa është pritur, për shkak se nuk dëshirojnë që ligjet e propozuara të përfundojnë e rrëzohen në gjykata.

/Shqip.com