Rakiq: Barrikadat largohen kur plotësohen kërkesat tona

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka folur në protestën e sotme në Rudarë e cila është organizuar nga serbët.
Rakiq ka thënë se pa u përmbushur kushtet e tyre nuk do të ketë tërheqje të barrikadave.
“Është e nevojshme të lirohet Miljan Adziç, Dejan Pantiç. Ju duhet të tërhiqni listat sekrete për arrestimin dhe kapjen e serbëve, të cilat i referohen pjesëmarrjes në protestat e qytetarëve nga shtatori i vitit të kaluar deri më sot. Kurti duhet ta tërheq policinë nga Kosova e veriut, të gjitha njësitë me tuba të gjatë. Pa përmbushur këto kushte, nuk ka tërheqje të barrikadave sepse jemi lodhur duke pritur se cila nga ne është tjetri”, tha Rakiq.
Rakiq tha se protesta e sotme ka të bëjë me ‘terrorin që ata gjoja po e përjetojnë’
“Terrori që vuajmë çdo ditë, listat sekrete, arrestimet dhe keqtrajtimi i forcave speciale të Kurtit janë arsyeja për mbledhjen e sotme ku duam të themi se duam paqe dhe liri. Duke patur parasysh se komuniteti ndërkombëtar është shqetësuar nga barrikadat, pa u shqetësuar nga ngacmimi i serbëve, dua të them se jemi vetë, se nuk mund të rrimë të heshtur rreth padrejtësisë, rreth rrahjes së popullit tonë, për të rënë dakord të largohemi qetësisht nga vendi ynë”.
I pari i Listës Serbe tha se zgjidhja për situatën në veri të Kosovës është në Prishtinë.
“Zotërinj përfaqësues ndërkombëtarë, më vjen keq që nuk mund të qëndrojmë të qetë ndërsa jemi duke u shkelur. Lotët e fëmijëve tanë shqetësojnë imazhin idilik të një Kosove demokratike. E di që e dini, por përsëris se zgjidhja e kësaj krize është në Prishtinë”.
Rakiq kërkoi nga protestuesit që të luftojnë në mënyrë demokratike për të drejtat e serbëve, raporton Kosovoonline.
Protestues të shumtë serbë kanë mbërritur në një protestë të madhe publike të planifikuar për sot në ora 12:00 në Rudar.
Radhë të gjata njerëzish vazhdojnë të mbërrijnë nga drejtimi i Zveçanit, dhe Zubin Potokut.
I ashtuqujturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që do të mbahet sot në Rudare të komunës së Zveçanit.
Kjo protestë vjen në kohën kur në veri janë bërë 13 ditë që kur serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në atë pjesë të vendit.
Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth heqjes së barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Sipas policisë, deri më tani janë vendosur nëntë barrikada në veri të Kosovës e krahas kësaj, pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak mbesin të bllokuara.
Barrikadat janë vendosur që nga 10 dhjetori si kundërpërgjigje ndaj autoriteteve kosovare pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq i cili është i dyshuar për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Në këtë gjendje gjeopolitike të Kosovës, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë qenë në Kosovë e Beograd ku ka zhvilluar takime me krerët e shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat në veri.
/Shqip.com