Rohde: Dënimi ndaj Mustafës i rëndësishëm, aktgjykim ndaj një individi

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar përmes Twitterit, duke shkruar se dënimi ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, me 26 vite burgim, është vendim i rëndësishëm dhe që forcon shtetin e së drejtës.
Por, Rohde, thekson se ky aktgjykim është ndaj një individi dhe jo ndaj UÇK-së.
“Gjykim i rëndësishëm sot që forcon shtetin e së drejtës. Ky është një aktgjykim ndaj një individi për kryerjen e krimeve të rënda të luftës, jo një aktgjykim ndaj UÇK-së.
Po aq e rëndësishme është vendosja e drejtësisë për viktimat – nuk ka mosndëshkim”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Më herët ka reaguar edhe Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, duke thënë se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale, më 16 dhjetor, është një hap që i ndihmon Kosovës për të garantuar sundim të ligjit dhe për të vënë drejtësi për viktimat.
“Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
/Shqip.com