Kurti: Sot është një ditë e madhe për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe zyrtarisht i ka dorëzuar Presidencës Çeke aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Në Pragë, Kurti është pritur nga ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek.
Pas dorëzimit të aplikimit, kryeministri Kurti në një konferencë për media ka deklaruar se Kosova është në rrugën evropiane.
“Sot është një ditë e madhe për Kosovën, presim që të ketë mirëkuptim edhe nga këshilli dhe komisioni evropian që ne të bashkohemi familjes evropiane”, ka thënë Kurti.
Më tutje Kurti ka thënë se Letra që kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë që kanë punuar me zell për të arritur në këtë ditë.

“Letra që kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë që kanë punuar me zell për të arritur në këtë ditë. Letra i përgjigjet vizionit të Evropës dhe një Evrope që ka të ardhme të ndritshme bashkëpunuese”, tha ai në konferencë.
Lidhur me këtë ka ardhur edhe reagimi nga Lukas Mandl, zëdhënës i politikës së jashtme të ÖVP-së në Parlamentin Evropian.
“Shteti më i ri në Evropë, Republika e Kosovës, po bën një hap të rëndësishëm në kohën e duhur. ndryshimi historik i paradigmës. Bota e lirë duhet të lëvizë së bashku si kurrë më parë kundër të gjitha llojeve të ideologjive të urrejtjes dhe formimit të tyre në sisteme autoritare”, është shprehur Mandl.

Gjatë ditës së djeshme, liderët shtetërorë të Kosovës edhe zyrtarisht e kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në një ceremoni zyrtare, nënshkrimin e dokumentit të aplikimit, e kanë bërë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti.
Kosova muaj më parë ka aplikuar për tu bërë pjesë edhe e Këshillit të Evropës.
/Shqip.com