Lajme

Eurodeputeti holandez jep detaje për liberalizimin e vizave për Kosovën

Thijs Reuten

Eurodeputeti holandez i cili vjen nga radhët e Partisë së Punës, Thijs Reuten ka zbuluar disa detaje pas procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Kosovarët janë të vetmit banorë të Ballkanit Perëndimor, të cilëve u është dashur ende të aplikojnë për vizë për të hyrë në BE. Kjo është e padrejtë dhe e pajustifikuar. Që një vend të fitojë lirinë e vizave për BE-në, duhet të plotësojë të gjitha llojet e kushteve. Për shembull, sundimi i ligjit duhet të jetë në rregull dhe kontrollet e tij kufitare duhet të përmbushin standardet evropiane. Kosova tashmë ka treguar mjaft se i plotëson këto kushte”, ka thënë Reuten.

Më tutje Reuten thotë se banorët e Kosovës tani mund të planifikojnë pushime, vizita familjare dhe udhëtime pune pa aplikuar për vizë, raporton Europa.

Ai është shprehur i lumtur që Parlamenti dhe Këshilli i BE-së kanë arritur marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Shumë i kënaqur që arrita marrëveshje në emër të @Europarl_EN, me Këshillin e përfaqësuar nga Presidenca për liberalizimin e vizave për Kosovën më së voni më 1 janar 2024. Faleminderit të gjithëve që punuan në këtë për kaq shumë vite”, ka shkruar Reuten në Twitter.

Kosova muaj më parë ka aplikuar për tu bërë pjesë edhe e Këshillit të Evropës.

/Shqip.com