Ministrat e BE-së miratojnë konkluzat për procesin e vizave për Kosovën

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe situata në vendet e përfshira në këtë proces, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, janë tema kryesore e takimit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së, që mbahet sot në Bruksel.
Në këtë takim, ministrat e bllokut kanë miratuar disa konkluza për përparimin e vendeve në procesin e zgjerimit.
Sipas tekstit ministrat kanë përshëndetur përparimin që ka bërë Kosova në procesin e reformave, në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa kanë kërkuar nga vendi që të vazhdojë përpjekjet për luftë kundër krimit të organizuar.
Kosovës i është shprehur, po ashtu, mirënjohje për mbështetjen e qëndrimeve të BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në konkluza shprehet mbështetja edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe pritja që çështja të përmbyllet sa më shpejt.
Në takimin e së martës ministrat e BE-së kanë arritur pajtim për t’i dhënë Bosnje e Hercegovinës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Po ashtu gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Kosova do të aplikojë në Bashkimin Evropian për antarësim këtë javë.
/Shqip.com