Lajme

Alibeaj: Qeveria e Serbisë po krijon vatër të rrezikshme

Enkelejd Alibeaj

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës ku ditëve të fundit ka pasur shpërthime dhe përplasje nga ku ka mbetur i plagosur edhe një prej policëve shqiptarë.

Përmes një reagimi në Facebook, Alibeaj shprehet se ngjarjet e ndodhura duket se lidheshin me një skenar për të krijuar një vatër tensioni.

“Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të lartë situatën në Veri të Mitrovicës. Lajmet se goditje me armë  ndaj  forcave policore të Kosovës, ngritja e barrikadave, kundërshtimi i autoriteteve ligjzbatuese të Kosovës nga elementë të armatosur të organizuar të strukturave paralele serbe, duket se është një skenar i qartë që synon krijimin e një vatre të rrezikshme tensioni.

Gjithashtu refuzimi i komunikimit dhe zgjidhjes së situatës me institucionet e ligjshme të Kosovës nga pala serbe duket se synon jo mbrojten e drejtave të popullatës serbe, por një ndarje defacto me bazë etnike të Veriut të Mitrovicës”, shkruan Alibeaj.

Mes të tjerash, ai shprehu mbështetjen e Partisë Demokratike ndaj institucioneve të Kosovës dhe bëri thirrje për ndaljen e skenarëve për konfliktet që sipas tij janë krijuar nga qeveria serbe duke u kthyer në levë të interesave destabilizuese të Rusisë në Ballkan.

Në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, në veri të Kosovës një grup personash të maskuar sulmuan efektivin e policisë së Kosovës, Ekrem Nezirin i cili po trajtohet në spital për plagët e marra.

Ndërkohë të gjithë krerët e shtetit bënë thirrje për zbardhje të incidentit të ndodhur dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës.

/Shqip.com