Dënohet me 25 vjet burg ish-polici që vrau një qytetar në Gjilan
Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar me 25 vjet burg ish-policin Vllaznim Hamdiu, pasi që ai është shpallur fajtor për vrasjen e tani të ndjerit, Lulzim Spahiu, përcjell Shqip.com.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2020, i pandehuri Vllaznim Hamdiu, akuzohet se më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50, në rrugën qarkore “NATO 99” në Gjilan, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin, Lulzim Spahiu si dhe ka rrezikuar të tjerët.
“Tutje, sipas aktakuzës, këtë i pandehuri e ka bërë në atë mënyrë që, derisa ishte duke e drejtuar veturën e llojit “Craysler Sebrig” (e padoganuar, siguruar dhe regjistruar), në shoqëri të personave Miradije Halili dhe Besnik Linomi, pasi kishin konsumuar pijë alkoolike, arrin tek udhëkryqi që të dërgon në lagjen “Gavran”, përkatësisht tek furra e bukës “Shqiponja”, ku kishte shkaktuar aksident trafiku me kamionin e llojit “Mercedes”, të cilin ishte duke e drejtuar tanimë i ndjeri Lulzim Spahiu”, raporton Betimi për Drejtësi.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se pas aksidentit, i pandehuri del nga vetura dhe pas një mosmarrëveshje lidhur me aksidentin e komunikacionit mes tij dhe viktimës, dhe djalit të viktimës, i njëjti nxjerr armën zyrtare nga brezi dhe pasi viktima hyn në kamion dhe e mbyll derën, i pandehuri afrohet tek ai dhe shkrep në drejtim të viktimës.
“Pas aksidentit, i pandehuri del nga vetura dhe pas një mosmarrëveshje përkitazi me aksidentin e komunikacionit në mes tij dhe viktimës, si dhe djalit të viktimës, Blend Spahiu, i njëjti nxjerr armën zyrtare nga brezi dhe pas disa shtyrjeve dhe përpjekjeve nga dëshmitarja Miradije Halili dhe Besnik Limoni që ta ndalojnë të pandehurin që të gjuaj me armë, pasi viktima hyn në kamion dhe e mbyll derën, i pandehuri afrohet tek dera e kamionit ku dritarja ishte e hapur dhe shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e godet atë një herë në pjesën nën vetullën e syrit të djathtë, ku viktima vdes në vendin e ngjarjes. Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’ nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në aktakuzë./Shqip.com