Chollet dhe Escobar pritet të vizitojnë Kosovën javën e ardhshme
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pritet të nisë të hënën një vizitë në Kosovë.
Ai pritet të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se “Escobar udhëton shpesh në rajon dhe do të jetë aty për konsultime të rregullta”.
Vizita e tyre pritet të ndodhë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se do të takohet me disa nga institucionet e sigurisë sa i përket situatës në veri të Kosovës.
Zgjedhjet në veri të Kosovës pritet të mbahen me 18 dhjetor.
Por kur zyrtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore shkuan në veri të Kosovës për të filluar pregatitjet për procesin e zgjedhjeve, ata u sulmuan nga bandat kriminale atje me mjete piro-teknike, shok-bomba, armë zjarri dhe granata dore.
Atyre iu pamundësua hyrja në objektet komunale në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviç.Ndërsa, gjatë mbrëmjes së djeshme kanë ndodhur dy shpërthime në veri të Mitrovicës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti tha se shpërthimet kanë ndodhur nga shok-bomba por nuk ka të lënduar.
/Shqip.com