Aliu në Beograd, për të nënshkruar marrëveshje për hekurudhën

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, po qëndron për vizitë zyrtare në Beograd për të marrë pjesë në Samitin e Hekurudhave për Ballkanin Perëndimor.
Në kryeqytetin serb, Aliu ka nënshkruar marrëveshje me ministrat e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor që ka të bëjë me lidhjen e rajonit me hekurudhë, shkruan mediumi kosovar në gjuhën serbe “Kosovo-online”, transmeton Shqip.com.
Bëhet e ditur se në këtë tubim po marrin pjesë edhe komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Qeveria e Kosovës nuk e ka paralajmëruar vizitën e ministrit Aliu në Beograd paraprakisht.
Shqip.com ka provuar të kontaktojë me zyrtarë në Qeverinë Kurti, por nuk kanë qenë të qasshëm.
Vizita e Aliut është një nga vizitat e rralla të një zyrtari të Kosovës në kryeqytetin serb./SHQIP.com