Ish-presidenti iranian, Khatami thotë se sundimtarët duhet t’i dëgjojnë kërkesat e protestuesve

Një ish-president iranian ka bërë komente të rralla publike duke lavdëruar protestuesit antiqeveritar dhe duke u kërkuar autoriteteve që t’u kushtojnë vëmendje kërkesave të tyre “para se të jetë tepër vonë”, raporton BBC.
Mohammad Khatami, 79 vjeç, tha se “slogani i bukur” “grua, jetë, liri” tregonte se shoqëria iraniane po shkonte drejt një të ardhmeje më të mirë.
Gjithashtu, ai kritikoi arrestimet e studentëve nga forcat e sigurisë.
Studentët kanë qenë në ballë të trazirave që filluan në mesin e shtatorit pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, një gruaje 22-vjeçare e cila u arrestua nga policia e moralit pasi dyshohet se mbante hixhabin ose shaminë e saj “në mënyrë të pahijshme”.
Protestat e udhëhequra nga gratë janë përhapur në më shumë se 150 qytete dhe 140 universitete në të 31 provincat e vendit dhe janë parë si një nga sfidat më serioze për Republikën Islamike që nga revolucioni i vitit 1979.
Udhëheqja e Iranit, përfshirë presidentin e vijës së ashpër Ebrahim Raisi, i ka portretizuar ato si “trazira” të nxitura nga armiqtë e jashtëm të vendit dhe i ka urdhëruar forcat e sigurisë që “të merren me vendosmëri” me ta.
Deri më tani, të paktën 473 protestues janë vrarë dhe 18,215 janë arrestuar, duke përfshirë 586 studentë, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA). Ajo ka raportuar gjithashtu vdekjen e 61 personelit të sigurisë.
/Shqip.com