Osmani: Vuçiq është e njëjta mendësi si ajo e viteve të 90-ta
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbërritur në Tiranë ku po mbahet samiti BE-Ballkani Përendimorë.
Në fjalën e saj para mediave, Osmani është shprehur se Vuçiq është e njëjta mendësi si ajo e viteve të 90-ta.
“Për fat të keq, Vuçiq është e njëjta mendësi si ajo e viteve të 90-ta.Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje mes veti me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Osmani.
Më tutje Osmani po ashtu është shprehur se në këtë samit do të diskutohet për të ardhmen evropiane e jo për dialogun Kosovë-Serbi.
“Jam shumë e lumtur që jam në një Samit që do të thoja është një supermarrje e rëndësishme. Shpresoj që konkluzionet dhe deklaratat do të shfaqin këtë përbashkësi të BE-së drejt një procesi të përshpejtuar për Ballkanin Perëndimor. Jam këtu si udhëheqësja e vendit më pro-evropian që ekziston dhe në këtë kuptim kemi treguar këtë përkushtim në çdo veprim që kemi ndërmarrë tek 100 për qind në harmonizim me BE-në për çdo politikë të jashtme. Jemi harmonizuar me sanksionet kundër Rusisë edhe në refuzimin e çdo influence siç është Rusia dhe Kina”, është shprehur Osmani.
Tirana është vendi i parë në Ballkan që pret liderët e vendeve evropiane në Samitin siç është ky.
Duke filluar nga ora 9:30 do të mbërrijnë liderët në vendin ku do të mbahet Samiti. Nga ora 10:00 do të bëhet firmosja e marrëveshjes Roaming.
Mbërritja e liderëve të tjerë do të vazhdojë edhe nga ora 10:15 dhe për të filluar me pas me seancën e parë plenare.
Nga ora 14:30 do të jetë konferenca e liderëve duke përfshirë presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
/Shqip.com