Lajme

Kryetari i AAK-së: Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim!

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka hedhur kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas vrasjes së 35-vjeçares në oborrin e QKUK-së. Ai ka thënë se “Albin Kurti është bashkëpjesëmarrës në krim!”.

Ish-kryeministri Haradinaj ka theksuar se Albin Kurti me apo pa vetëdije është shndërruar në “bashkëpjesëmarrës edhe në krimet makabre që po ndodhin përditë”.

“Një kryeministër që e defunksionalizon sistemin e drejtësisë në shtet duke i përgjysmuar pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, që i poshtëron policët, i lë të leckosur e me paga mizerje, që i detyron mjekët ta braktisin punën e vendin sepse nuk mund të jetojnë nga puna e tyre, që e rrezikon funksionalitetin e sistemit shkollor duke i shtyer mësuesit të hyjnë në grevë për më shumë se një muaj, që vendin e shndërron në gogol të komunitetit ndërkombëtar…ai me ose pa vetëdije është shndërruar në bashkëpjesëmarrës edhe në krimet makabre që po ndodhin përditë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Tutje, ai ka thënë se ka qenë i pari që e ka quajtur Kurtin mashtrues, teksa nuk do donte që përsëri të ishte i pari që do e quante atë vrasës.

“Kam qenë i pari që këtë kryeministër e kam quajtur “mashtrues” dhe sot edhe ata që më kanë kundërshtuar më së tepërmi, kanë rënë në fjalë të mia. Nuk kisha pasë dëshirë të jem i pari që këtë kryeministër ta quaj edhe vrasës!”, ka shkruar Haradinaj.

/Shqip.com