Lajme

Abazi: Do të jap dorëheqje nëse bëhen ndryshime kushtetuese për Asociacionin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka paralajmëruar dorëheqje në rast që bëhen ndryshime kushtetuese lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në një intervistë për EO, Abazi tha se nuk beson që do të bëhen ndryshime të tilla.

“Nuk besoj që do të ketë ndryshim kushtetues për të akomoduar kompetenca ekzekutive të Asociacionit. Nëse ndodhë një gjë e tillë, unë jam i pari që jap dorëheqje”, tha Abazi.

Abazi tha se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë.

“Jam i bindur se fatkeqësisht çështja e Asociacionit është pjesë e diskutimit, por forma se si do të përfshihet në marrëveshjen finale dhe respektimi i plotë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë limitet në të cilat duhet të ecët para. Unë e kam thënë publikisht që sikur të mos ishte Asociacioni pjesë e marrëveshjes sigurisht që nuk duhej të flisnim për të por meqë merremi me politika reale, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të fillohet si pjesë e marrëveshjes finale Asociacioni të diskutohet”.

Krahas kësaj, Abazi thotë se është në interesin e Bashkimit Evropian që çështja e Kosovës të zgjidhet.

“E patë se si e përdorën presionin e vizave për çështjen e targave, instrumentet e presionit janë të shumta në dorën e Bashkimit Evropian dhe sigurisht që këto presione do të vazhdojnë, por unë mendoj që është në interesin edhe të Bashkimit Evropian që marrëveshja finale të arrihet sa më shpejtë që është e mundur”.

Sipas Abazit, në interesin e BE-së është që kjo të ndodhë përpara përfundimit të konfliktit Rusi-Ukrainë.

/Shqip.com