Lajme

SHBA kërkon shtyrje të vendimit për targat, Kurti e pranon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka pranuar kërkesën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe ka shtyrë për 48 orë fillimin e fazës së gjobitjes.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka pranuar kërkesën e tij për shtyrje për 48 orë të vendimit.

“Unë e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orë të fillimit të gjobitjes për targa ilegale ‘KM’ (dhe tjera). Jam i lumtur të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.

SHBA-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyhet për dy ditë afati për fillimin e dhënies së gjobave për automjete me targa ilegale.


“SHBA-ja është e shqetësuar që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk ishin në gjendje të arrinin një marrëveshje sot për zgjidhje të krizës aktuale në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë për 48 orë dhënien e gjobave për të lejuar BE-në dhe SHBA-në të angazhojnë më tepër palët për gjetje të një zgjidhje”, thuhet në deklaratë.

Kosova dhe Serbia gjatë takimit të së hënës nuk arritën të nënshkruajnë asnjë marrëveshje.

/Shqip.com