Lajme

Shqipëri: Mbi 2400 hektarë tokë dhe 600 banesa nën ujë

Reshjet intensive të shiut kanë rënduar edhe më tej situatën nw disa zona tw Shqipwrisw.

Të dhënat fundit tregojnë për qindra banesa të përmbytura, dhjetra familje të evakuara dhe mijëra hektarë tokë nën ujë.

Situata më e rëndë paraqitet në Bashkinë Shkodër, ku të hënën mbi 2400 hektarë tokë ndodhen nën ujë.

Vetëm në njësinë administrative Ana e Malit rreth 1000 hektarë është e përmbytur, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan, Oblikë. Në rrugën e Obotit niveli i ujit arrin rreth 70 cm. Ujësjellësi Oblika 1, si pasojë e përmbytjeve ka dalë jashtë funksionit.

Përmbytje ka edhe në njësinë administrative Dajç, Velipojë dhe Guri i Zi. Sipas autoriteteve, janë 32 familje të evakuuara me gjithsej 139 persona.

Dy familje janë akomoduar në konviktet e Shkodrës, ndërsa pjesa tjetër nëpër të afërm. Ndërsa 540 banesa janë me prani te ujit. Vijojnë operacionet e evakuim-shpëtimit ne lagjet Kuq, Ajasem dhe Bërdicë.

Në Malësi të Madhe dy banesa rezultojnë të përmbytura, ndërsa në atë të Vaut të Dejës 10 familje. Afro 1711 hektarë tokë bujqësore është nën ujë.

Probleme janë evidentuar edhe në Lezhë, 18 banesa dhe mijëra hektarë tokë ndodhet nën ujë.

Në Bashkinë Krujë rezultojnë të përmbytur 150 hektarë tokë si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Ishëm. Probleme ka edhe në zonën e Kënëtes në Durrës.

/Shqip.com