Lajme Botë

Epokë e re në marrëdhëniet Turqi-Izrael, zhvillohet biseda telefonike mes Erdogan dhe Netanyah

Recep Tayyip Erdoğan para disa muajsh e ka quajtur Izraelin një “shtet terrorist” , por gjërat kanë ndryshuar sepse lideri turk gjatë ditës e ka zhvilluar një bisedë telefonike me liderin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për herë të parë pas shumë vitesh.

Siç shkruan Der Spiegel, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duan të vazhdojnë punën për të përmirësuar marrëdhëniet izraelito-turke.

Sipas një zëdhënësi të Netanyahut, në bisedën afërsisht dymbëdhjetë minutëshe, ata ranë dakord të “inaugurojnë një epokë të re në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit”.

Sipas zyrës presidenciale turke, të dy ranë dakord “të ruajnë dhe forcojnë në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet bazuar në respektimin e interesave të ndërsjella”.

Telefonata u iniciua nga Netanyahu për t’i shprehur ngushëllimet Erdoganit pas sulmit në Stamboll.

Këtë verë, marrëdhëniet e plota diplomatike u rifilluan nën qeverinë aktuale. Në fund të shtatorit, Yair Lapid ishte kreu i parë i qeverisë izraelite që takoi presidentin turk në 15 vjet.

Partia Likud e Netanyahut doli si forca më e fortë në zgjedhjet parlamentare të 1 nëntorit. Në fundjavë ai u ngarkua me formimin e një qeverie. Nëse ia del mbanë, do të ishte rikthimi i tij i dytë në postin e kryeministrit.

Parlamenti i ri tashmë është mbledhur për seancën e tij themeluese këtë javë. Në ceremoninë e hapjes për Knessetin e 25-të të martën, presidenti izraelit Yizchak Herzog bëri thirrje për unitet.

Qytetarët e Izraelit janë krenarë për vendin e tyre, por në të njëjtën kohë janë “të rraskapitur nga lufta për pushtet dhe pasojat e tyre”. Ishin zgjedhjet e pesta në vetëm tre vjet e gjysmë.

Sipas Herzogut, tani është përgjegjësi e përfaqësuesve të zgjedhur që “të vazhdojnë të forcojnë partneritetin midis të gjitha shtresave të shoqërisë izraelite, të gjitha besimeve dhe feve”.

/Shqip.com