Abazi tregon momentin kur Kurti ia kishte kërkuar largimin, përmend edhe kurdisjet në zgjedhjet e brendshme

Njëri ndër deputetët më të zëshëm të Vetëvendosjes jashtë parlamentit, Haki Abazi, ka folur për për zhvillimet e fundit në Vetëvendosje, raportet me kryeministrin Kurti dhe zgjedhjet e brendshme në parti.
Abazi ka treguar se në kohën kur ishte zëvendëskryeministër, Kurti në një mbledhje me shoqërinë civile, ia kishte kërkuar largimin nga takimi, si pasojë e kërkesës së përfaqësuesve të OJQ-ve.
“Në atë takim janë ankuar tek kryeministri për qasjen time ndaj këtyre organizatave joqeveritare, që janë numra të specifikum. Kurti ka kërkuar nga unë, që pas marrëveshjes që do e bëjmë takimin bashkë, e do e shohim se cilat janë çështjet që do i ngritin, me iniciativën e Taulant Hoxhës, aktivist i shoqërisë civile, që shpenzon pare tash e sa vite e nuk e din kush se cka bërë.
Është kërkuar që unë të mos jem aty, sepse nuk munden me u shpreh. Kryeministri ka kërkuar nga unë në mënyrë njerëzore që të respektohet kërkesa e tyre, unë jam çu edhe jam dal”, ka thënë Abazi në T7.
Tutje, deputeti Abazi ka drejtuar akuza të rënda për VV-në, në lidhje me kurdisje të zgjedhjeve, ku përmendi dy emra, atë të Dejona Mihali dhe Valon Hotit.
Sipas tij, Valon Hoti ka pasur aftësi të jashtëzakonshme që t’i largojë njerëzit nga lista nëpër fushata elektorale që të mos shihen afër Kurtit.
“Sot është kjo kryesi e VV-së, me këta njerëz që kanë konsideru që edhe zgjedhjet në nivel komunal mund të orkestrohen, mund edhe të përcaktohen, edhe mund të ketë njerëz të cilët eliminohen.
Mendoj zonja Dejona Mihajli është njëra e cila merret edhe me çështjet e qendrave nëpër qytete, unë mendoj që Valon Hoti, ka pas aftësi të jashtëzakonshme me hek njerëz prej listave nëpër fuishata elektorale që të mos shihen afër Kurtit, ose në takime të rëndësishme, Hoti mban pozitë aty”, thekson Abazi.
Ndër të tjera, deputeti i Vetëvendosjes, ka folur edhe për figurën e shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusarit, emrin e të cilës e ka lakuar jo rrallë herë javët e fundit.
Sipas tij, Kusari-Lila është një figurë e ricikluar politike.
“Ky vend nuk ndryshon duke i ricikluar njerëzit e njëjtë. Nuk ndryshon me Mimoza Kusarin. Ndaç merre personale, ndaç merre çfarëdo”, ka thënë Abazi.
/Shqip.com