Kryetarja e Tetovës për zjarrin në spital: Janë 14 viktima dhe 12 të mbijetuar

14 viktima janë regjistruar si pasojë e zjarrit në Tetovë që ka përfshirë spitalin modular për trajtimin e personave me COVID-19, përcjell Shqip.com.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka thënë se 12 pacientë që kanë mbijetuar nga tragjedia e djeshme, janë duke marrë trajtimin në Spitalin e Tetovës dhe janë në gjendje stabile, kurse identiteti i të gjitha viktimave ende nuk është zbuluar.
“Në orët e paradites isha në spitalin e Tetovës për t’u informuar edhe sa i përket viktimave edhe për gjendjen e të mbijetuarve. Është zyrtare që tani ka 14 viktima, për një numër të vogël të tyre është duke u kryer procesi i identifikimit në institucionin për Mjekësi Ligjore në Shkup, ndërkohë që 12 persona tjerë që kanë mbijetuar janë vendosur në reparte tjera në spitalin e Tetovës dhe gjendja e tyre paraqitet stabile dhe e mirë”, ka treguar ajo për T7.
Tutje, ajo është shprehur se së bashku me krerët e shtetit, mbrëmë kanë mbajtur një takim lidhur me këtë tragjedi dhe se prokuroria po e heton rastin, por ende nuk dihen shkaqet e shkaktimit të këtij zjarri.
“Fjala është për një tragjedi të madhe me pasoja të jashtëzakonshme në njerëz fatkeqësisht. Në takimin që kishim mbrëmë meqenëse i tërë kreu i shtetit ishte në Tetovë, si dhe prokuroi republikan i cili ka për obligim zyrtar që të filloj procedurën e hetimeve, u informuam që ai proces ka filluar që mbrëmë dhe sot gjatë gjithë ditës, mbledhja e fakteve dhe të dhënave. Deri tani akoma nuk kemi informacione zyrtare për shkaqet që kanë sjellë deri tek kjo situatë”, ka thënë ajo.
Arifi ka theksuar se deri tani nuk është e informuar se dikush është arrestuar apo ndalur nga policia.
“Deri më tani institucionet nuk kanë informuar për raste arrestimi apo ndalimi, jemi të informuar që ata vazhdojnë proceset e tyre me forenzikën dhe të gjitha aktivitetet që duhet të ndërmerren”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës, një shpërthim zjarri ka ndodhur në spitalin modular të Tetovës ku po trajtoheshin pacientët me COVID-19./Shqip.com