Shkëndija – Shkupi, përfundon me rezultat zyrtar ndeshja ku pati sulme, ndërhyrje të policisë dhe ndërprerje
Shkëndija e Tetovës është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut. Tetovarët e kanë fituar ndeshjen kundër Shkupit me rezultat zyrtar 3:0.
Lajmi është konfirmuar nga Shkëndija.
“Jemi në gjysmëfinale të Kupës. Zyrtare: FFM regjistron me rezultat zyrtar 0:3 ndeshjen e Kupës, Shkupi-Shkëndija”, shkruan në njoftimin e Shkëndijës. Ndeshja çerekfinale e luajtur të mërkurën në Çair, u ndërpre në minutën e nëntë.
Pasi shënoi gol ndaj Shkupit, Dashmir Elezit festoi golin duke provokuar tifozët vendas dhe disa tifozë shkupjan u futën në fushë dhe tentuan të sulmojnë lojtarët e Shkëndijës. Ndërhyri policia për ta qetësuar situatën dhe ndeshja u ndërpre. Më pas, vendimi i organeve kompetente të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka qenë i shpejt duke ia dhënë fitoren Shkëndijës në tavolinë. Shkupi dhe Shkëndija janë dy skuadra shqiptare që garojnë në elitën maqedonase.
Prej kohësh, tifozët e të dyja ekipeve kanë një rivalitet të madh.
/Shqip.com