Aktivistët në muze vazhdojnë thirrjen kundër ngrohjes globale

Protestuesit kundër ndotjes së tokës dhe ngrohjes globale po vazhdojnë të shënjestrojnë piktura në kuadër të protestës që kanë filluar.
Së fundmi, ata tentuan të dëmtojnë edhe pikturat e Francisco Goyas The Clothed Maja dhe The Naked Maja, të cilat ekspozohen në Muzeun Prado të Madridit, raporton Artnews.
Ata shkruan “1.5 C” në mur pranë pikturës.
“Javën e kaluar, OKB-ja njohu pamundësinë për të qëndruar nën objektivin e Marrëveshjes së Parisit për të qëndruar nën një ndryshim prej 1.5 gradë Celsius”, ka shkruar në Twitter grupi protestues Futuro Vegetal.

Raporti i OKB-së i referuar nga grupi aktivist zbuloi se Toka është në rrugën drejt rritjes së temperaturës midis 2.4 dhe 2.6 celsius deri në fund të këtij shekulli.
Ndërkaq, muzeu Prado ka dënuar veprimin e protestuesve.
“Ne dënojmë aktin e protestës që ka ndodhur në muze. Punimet nuk janë dëmtuar, por kornizat janë pak të dëmtuara. Po punojmë që sa më shpejt të rikthehemi në normalitet”, kanë shkruar ata.
Kujtojmë që protestuesit, filluan të hedhin lëngje në veprat e artit në muzetë qershorin e kaluar, megjithatë asnjë nga veprat e synuara nuk ka pësuar dëmtime.
Protestat nisën në Britaninë e Madhe, të udhëhequra nga organizata Just Stop Oil.
Që atëherë, grupe dhe individë në mbarë Evropën kanë organizuar veprime në muze si Muzeu Barberini në Potsdam, Muzeu i Vatikanit në Romë dhe Muzeu Mauritshuis në Hagë.
/Shqip.com