Sport Shqiptar

Reja e shpall sot listën e futbollistëve për miqësoren e radhës të Shqipërisë

Selektori i Kombëtares Shqiptare, Edoardo Reja

Kombëtarja e Shqipërisë luan në mesjavë ndeshjen e parë miqësore për muajin nëntor, atë ndaj Katarit, ku vëmendja do të jetë përsëri te futbollistët e kampionatit shqiptar.

FSHF-ja ka bërë të ditur edhe programin e ekipit që do të ndjekë shembullin e atij të grumbulluar për miqësoren e pak ditëve më parë ndaj Arabisë Saudite.

Kështu, lista do të bëhet publike ditën e sotme dhe sipas FSHF-së do të ketë në përbërje kryesisht futbollistë nga Kategoria Superiore, shkruan Panorama Sport.

Grumbullimi do të nisë zyrtarisht nesër me vetë trajnerin Edy Reja, i cili do të shfaqet para mediave për të argumentuar zgjedhjet e tij dhe planin që ka me futbollistët e përzgjedhur për këtë sfidë, që i shërben më shumë si test vendit organizator të Botërorit.

Ekipi do të stërvitet në Durrës për tri ditë, për të udhëtuar më pas të martën drejt Spanjës, ku do të luajë të mërkurën në orën 18:30 në stadiumin e Marbella.

Shqipëria gjatë nëntorit do të përballet edhe me Italinë (16 nëntor) dhe Armeninë (19 nëntor) edhe këto ndeshje miqësore, të cilat do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

/Shqip.com