Nxënësi në Istog kapet me armë në çantë, thotë se është e babait të tij

Një nxënës 15-vjeçar i gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog është kapur me armë nga udhëheqësit e shkollës, me arsyetimin se arma i takonte prindit.
Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar drejtori i shkollës Ibrahim Bytyçi.
“Po e kanë zbuluar sigurimi i shkollës, më pas ka lajmëruar zëvendësdrejtorin dhe e kemi ftuar e kemi kontrolluar, kemi zënë armën, arsyetimi i tij ishte që ka qenë e prindit”, tha Bytyçi.
Tutje ai tha se rasti është shoqëruar në polici, ndërsa nxënësi ka deklaruar se nuk ka marrë armën me ndonjë qëllim.
“Tha që e kam marrë pa qëllim dhe pa vetëdije pa logjiku s’kam pas kurrfarë qëllimi”, tha Bytyçi.
Tutje, ai tha se nxënësi “ka qenë problematik”, mësimdhënësit kanë identifikuar edhe më parë raste të tjera, mirëpo jo ekstreme si kjo e fundit.
Bytyçi theksoi se në bazë të raportit të policisë më pas do të merren edhe masat ndaj nxënësit.
“Armëmbajtja është e ndaluar si e ftohtë dhe e zjarrtë në komfort të rregullorës marrim masa edhe ne, do e shohim, në këshill drejtues kemi të drejtë deri në një muaj me e pezullu nga shkolla”, tha ai.
Bytyçi tregoi se kanë komunikuar edhe me familjarët, mirëpo ata nuk ishin në dijeni që i mituri po mbante armë në shkollë.
/Shqip.com