Lajme

Dekani i Fakultetit Juridik në UP reagon pas akuzave për plagjiaturë

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina ”Avni Puka, ka reaguar lidhur me deklaratat e fundit në të cilat ai akuzohet për plagjiaturë.

Përmes një postimi në Facebook, Puka thotë se deklaratat e profesorit universitar, Enver Hasanit ndaj tij janë shpifje dhe të pavërteta.

“Dje jam njoftuar se Enver Hasani, profesor pranë Fakultetit Juridik të UP-së, përveç tjerash, ka bërë akuza për plagjiaturë edhe ndaj meje, sikurse edhe ndaj një profesoreshe, kolege të respektuar të fakultetit. Si profesor, dhe në cilësi personale, i demantoj ashpër këto akuza dhe e siguroj opinionin e gjerë publik, që deklarimet e tilla janë shpifje, hapje thashethemesh dhe fyerje”, shkroi Puka.

Puka ka thënë se do të ndiqen rrugët ligjore për akuzat e bëra ndaj tij.

“Për akuzat ndaj integritetit tim akademik dhe shkencor, nuk kam asnjë problem, sepse doktoratura ime është produkt i punës time dhe përkushtimit disa vjeçar (e verifikuar nga komisione, mekanizma e profesorë me kredenciale akademike). Por megjithatë, për shkak të akuzave publike, këtë çështje do ta adresoj tek autoritetet kompetente, për të provuar një gjë të tillë. Andaj, shumë shpejt këto akuza denigruese dhe të pabaza do të dëshmohen si të pavërteta dhe se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për vendosje dhe rivendosje të drejtësisë”.

Tutje, Puka ka thënë se duke e ditur funksionimin e UP-së, Hasani asnjëherë nuk ka bërë ndonjë adresim lidhur me pretendimet e tij duke i dhënë të drejtë vetës për një gjyq publik.

Në një emision në T7, profesori universitar pranë Fakultetit Juridik, Enver Hasani ka thënë se tema e doktoraturës së dekanit Puka është një pjesë plagjiaturë.

Akuza të ngjashme Hasani ka hedhur edhe tek profesoresha universitare që tani është U.D e Rektorit të UP-së, Luljeta Plakollit.

Plakolli hedh poshtë akuzat ndaj saj duke thënë se disertacioni i saj i doktoraturës është vepër e ‘pastër intelektuale’.

“Mbrëmë Enver Hasani në emisionin Pressing, në mes tjerash, ka deklaruar se tema ime e disertacionit është plagjiaturë. Më lejoni të theksoj me gjithë përgjegjësinë time morale, akademike dhe njerëzore që disertacioni im i doktoraturës është vepër e pastër intelektuale e imja; atë e kam produkt të punës sime shumë-vjeçare. I qëndroj mbrapa çdo shkronje që kam shkruar dhe jam e gatshme të përballem me çfarëdo vlerësimi mbi të”.

Ngjashëm si Puka, edhe Plakolli ka paralajmëruar që do t’i ndjek rrugët ligjore lidhur me akuzat e Hasanit.

/Shqip.com