Vieira reagon për trajnerët me ngjyrë

Trajneri i Crystal Palace, Patrick Vieira , është i vetmi trajner me ngjyrë në Ligën Premiere. Ai ka folur për BBC mbi mundësitë e të tjerëve si vetja me ngjyrë. Raporti i fundit i publikuar tregon se 43 për qind e Ligës Premiere dhe 34 për qind e lojtarëve në EFL janë me ngjyrë. Midis trajnerëve, përqindja bie në mënyrë dramatike. Vetëm 4.4 për qind e totalit stërvitin.

“Ne duhet t’iu japim mundësi njerëzve me ngjyrë, sepse jemi po aq të mirë sa kushdo tjetër. Dhe nuk kemi nevojë të kemi më shumë ose më pak mundësi se kushdo tjetër. Nëse shikoni pesë kampionatet më të mira botërore, numri i trajnerëve me ngjyrë vërehet në divizionin e parë apo të dytë”, ka thënë Vieira.
“Edhe atje nuk është aspak i krahasueshëm me numrin e lojtarëve. Më duket se mungojnë mundësitë dhe dyert nuk janë të hapura sa duhet. Kur flas për menaxhment kam parasysh trajnerin e ekipit, por edhe nivelet më lart”.
Francezi, një nga lojtarët më të mirë të epokës së Premier League, fitoi Kupën e Botës me Francën më 1998 dhe Kampionatin Evropian dy vite më vonë.

Pasi i “vari këpucët në gozhdë”, ai punoi më parë me New York City dhe Nice, për t’u kthyer në Premier League. Vieira shpjegoi se si filloi karriera e tij menaxheriale dhe hapat e parë.
“Kam biseduar shumë me Brian Marwood në New York dhe ai më bëri të kuptoj se të kisha karrierën që kisha si lojtar nuk ishte e mjaftueshme. Kështu vendosa të filloj me Manchester City U-21 dhe pastaj shkova në New York. Më duhej përvoja për të besuar vërtet në veten time se kjo ishte ajo që doja të bëja. Pata fatin të gjeja dikë që besonte në mua dhe më dha kohë të mësoja e të bëja gabime. Ai më lejoi të jem sot te Palace me bindje dhe besim në aftësitë e mia”, ka theksuar Vieira.
/Shqip.com