Ekonomi

Bislimi: Kemi rritje ekonomike prej 10.7% dhe krijim të 35 mijë vendeve të reja të punës

Revista prestigjioze The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka organizuar në Prishtinë Samitin e Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022’’.

Në panelin e diskutimit mbi Zhvillimin dhe Rritjen e Ballkanit Perëndimor, ka folur zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislmi. Përmes rrjetit Facebook ai ka treguar se për çka është diskutuar në këtë Samit.

Ai ka thënë se Kosova duhet të njihet dhe identifikohet nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimin, rritjen e ekonomisë dhe sukseset e arritura.

“Për ta jetësuar këtë, objektivat, prioritetet dhe vizionin tonë, e kemi përqëndruar në punësim, drejtësi, investime, eksport, formalizim të ekonomisë, energji, ambient, qëndrueshmëri, arsim dhe diasporë”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij në Kosovë janë rritur të hyrat buxhetore dhe janë krijuar vende të reja të punës.

“Në lidhje me arritjet e këtyre objektivave, rrëfyes dhe tregues të suksesit janë rritja ekonomike prej 10.7%, rritja e të hyrave buxhetore me 30%, rritja e eksporteve me 2/3, rritja e investimeve të huaja direkte me 22% dhe krijimi i 35.000 vendeve të reja të punës, ku 10.000 prej tyre janë vende të punës të formalizuara, duke ditur dhe vështirësitë në reduktimin e ekonomisë informale por edhe sa e rëndësishme është kjo për ambientin e biznesit”, ka thënë Bislimi.

E sipas tij burim i këtyre sukseseve dhe ajo çfarë ka kontribuar në këtë drejtim, është kualiteti i demokracisë, stabiliteti politik, politikat e suksesshme anti-korrupsion dhe kualiteti i pakove të Ringjalljes Ekonomike të cilat adresuan sfidat e pandemisë dhe ato të energjisë elektrike.

Bislimi gjithashtu ka përmendur edhe raportet e fundit që e rendisin Kosovën më mirë në fushën e sundimit të ligjit.

“Kosova ka qenë eksportues i stabilitetit në rajon në 18 muajt e fundit, dhe kjo ka qenë e reflektuar në një rrugëtim më të shpejtë edhe në përmbushjen e obligimeve në proceset e integrimit evropian. Vendi ynë, u rrit me 17 vende në indeksin e Transparency International, tregues ky i përkushtimit të Qeverisë edhe ndaj sundimit të ligjit”, tha Bislimi.

/Shqip.com