Lajme

Konfirmohet se Kosova dhe Bosnja do t’ia heqin vizat njëra-tjetrës

Ministrat e Ballkanit Perëndimor po qëndrojnë në Berlin, në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të këtyre shteteve para Samitit të Ballkanit Perëndimor që pritet të zhvillohet në nëntor.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalana Baerbock, ka njoftuar se sot do të bien dakord për udhëtimin pa letërnjoftime midis gjashtë vendeve dhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në BE.

Sipas saj, kjo nënkupton që Kosova dhe Bosnja do t’ia heqin vizat njëra-tjetrës.

Marrëveshjet e përfolura do të nënshkruhet në muajin nëntor, kur edhe do të mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor në Berlin.

Përveç tjerash ministrja gjermane tha se është prioritet i qeverisë gjermane të siguroj stabilitet dhe përparim ekonomik në rajon.

“Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të shpejtoni reformat tuaja në interes të qytetarëve tuaj”, u tha ajo ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor të mbledhur në Berlin.

Ndryshe gjatë ditëve të fundit është përfolur edhe për aktivizimin e Procesit të Berlinit.

Kujtojmë se ky proces është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – për t’u mundësuar atyre që t’i bashkohen BE-së.

/Shqip.com