Lajme

Vjosa Osmani e pret në takim ambasadorin e ri të Portugalisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar në takim ambasadorin e ri të Portugalisë në Kosovë, Jorge Ayres Roza De Oliveria, me që rast ka pranuar letrat kredenciale.

Sipas njoftimit të presidencës, në takim është biseduar për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe sa i përket liberalizimit të vizave.

Osmani e ka falenderuar Portugalinë për mbështetjen e tyre të parezervë në procesin e liberalizimit të vizave dhe ka përsëritur qëndrimin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Është e domosdoshme vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke dhe se hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu gjatë takimit u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fusha specifike, sikurse ajo e politikës së jashtme, mbrojtjes, arsimit, turizmit dhe sfera të tjera të interesit të përbashkët.

/Shqip.com