Sport Shqiptar

Kalenderi i sfidave të mëdha

Liridon Kalenderi sivjet nuk ishte aktiv në Kampionatin e Kosovës, por ai dëshmoi edhe njëherë se nuk heziton fare të sfidojë garuesit më të njohur evropian me veturat më atraktive e shtigjet më prestigjioze.

Kalenderi sivjet shkëlqeu në Sternberk të Çekisë, ku në një konkurrencë të jashtëzakonshme, ia doli të renditet në pozitën e dytë të plasmanit të përgjithshëm.

Liri paraqitje shumë të mirë pati edhe në fundjavën që shkoi, në Skradin të Kroacisë.

Ai u rendit i dyti në Kategorinë 1, ndërsa i treti në Grupin 3.

“Në tri praktikat dhe dy gara isha i pari, por në garën e tretë, trajneri (Michael Ratajczyk ka qenë trajner i Kalenderit në Stenberk dhe Buzet) ma mori pozitën e parë, sepse në xhiron e tretë të garës, në pjesën e fundit të shtegut pati vaj dhe unë duke menduar se jam mirë me kohë nuk desha të rrezikojë. Përndryshe, ishte një garë shumë e mirë, me rivalitet të madh, ku vendosën 4 të qindtat e sekondës”, ka thënë Kalenderi.

Ai vlerëson se pjesëmarrja në Skradin, në të ardhmen, do të ishte e mirëseardhur edhe për garuesit tjerë.

“Mendoj se FASK duhet të shqyrtojë mundësinë që në të ardhmen të shkojmë në Skradin të organizuar. Është garë shumë e mirë, vend shumë i bukur dhe bëhet organizim në nivel të lartë”.

Në aspektin personal, ai është shumë optimist se në vitin e ardhshëm do të jetë në podiumet e garave më prestigjioze.

“Duhet theksuar se tashmë Kosova e ka njërën nga tri veturat më të shpejta në Evropë. Së shpejti veturën do ta dërgoj në Poloni (gjë të cilën Ratajczyk tashmë e ka bërë në Mitsubishi Evo X) dhe ta përforcojmë edhe më shumë, kështu që në vitin e ardhshëm podiumet në garat më të forta as nuk do të vijnë në dyshim”, ka thënë në fund Kalenderi.

/Shqip.com