Lajme

Nagavci: Komunat të shpallin konkurse për psikologë në shkolla

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se në grantin e arsimit, Qeveria i ka të miratuara 520 pozita për psikologë në shkolla.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci tha se vetëm 1/3 e këtyre pozitave tashmë janë të punësuar.

“Roli i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla është shumë i rëndësishëm. Në Grantin e arsimit në nivel vendi, Qeveria ka të miratuara 520 pozita për psikologë shkollorë. Por, për fat të keq më pak se 1/3 e tyre janë të punësuar”, shkroi Nagavci.

Nagavci bëri thirrje tek komunat në Kosovë që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet

“Si Ministri e Arsimit bëjmë thirrje tek komunat që në kuadër të përgjegjësive të tyre, këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet, të shpallin konkurset dhe të mos pranojnë kuadër tjetër për pozitat të cilat i kanë të lejuara për psikologë”.

Tutje, Nagavci tha se e mirëpresin konkursin e Komunës së Prishtinës për 25 psikologë.

“Mirëpresim shpalljen e konkursit për 25 psikologë në Komunën e Prishtinës dhe i ftojmë që sa më shpejt të hapin konkursin edhe për së paku 25 psikologë tjerë”.

Ministrja e Arsimit tha se Komuna e Prishtinës ka në dispozicion 66 pozita për psikologë e pedagogë por, që aktualisht janë vetëm 4 pedagogë dhe rreth 12 psikologë të punësuar në shkollat e Prishtinës.

Ndërsa sot, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, MASHTI dhe Departamenti i Psikologjisë në Fakultetin e Filozofisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Sipas Nagavcit, kjo marrëveshje ka të bëjë me avancimin e politikave arsimore dhe fuqizimin e zhvillimit të mirëqenies në institucionet edukativo-arsimore.

Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, bashkë me Departamentin e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik kemi nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi për avancimin e politikave arsimore dhe fuqizimin e zhvillimit e të mirëqenies në institucionet edukativo-arsimore.

/Shqip.com