Blick: Në Kosovë janë falsifikuar teste negative për COVID-19, çmimi i tyre ishte deri në 800 franga

Rritja e rasteve nga diaspora shqiptare ka ardhur si pasojë e falsifikimeve të testeve për COVID-19 në Kosovë, shkruan medium zviceran “Blick”, përcjell Shqip.com.
Sipas kësaj medie, çmimi për një test të falsifikuar PCR në Kosovë ka shkuar deri në 800 franga apo 736 euro.
Tutje, “Blick” thekson se Policia e Kosovës ka identifikuar disa laboratore që kryejnë falsifikimin e testeve për COVID-19, ku thuhet se në Podujevë, ishin arrestuar punonjësit e këtij laboratori.
Lidhur me falsifikimin e testeve për COVID-19, “Blick” ka publikuar edhe disa intervista por që ua ka fshehur identitetin e personave.
Ata kanë deklaruar se në Kosovë ishin lëshuar teste false dhe se kishin paguar para për të marrë testin negativ.
Në Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, mbi 100 persona tani janë arrestuar në lidhje me testet e falsifikuara të PCR. Në një rast, autoritetet kapën disa kompjuterë./Shqip.com