Ushtarët e Shqipërisë trajnohen në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit së bashku me FSK-në

Ushtarë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë duke u trajnuar në Qendrën Ndërkombëtare për Kërkim Shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kjo është bërë e ditur nga ministri i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj i cili tha se ky trajnim është në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes dy vendeve.

“Vëllezërit e motrat tona , ushtarakë e ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) trajnohen në Qendrën Ndërkombëtare për Kërkim Shpëtim të FSK-së. Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Republikën e Shqipërisë një ekip i FARSH-it është duke realizuar trajnimin bazik për kërkim-shpëtim urban në Qendrën Ndërkombëtare për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH) të FSK-së”, shkroi Mehaj.

Përveç FARSH-it dhe FSK-së, pjesë e trajnimit janë edhe pjesëtarë nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.
“Përveç personelit nga FARSH-it dhe FSK-së, pjesë e këtij trajnimi janë edhe pjesëtarë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME). Trajnimi ka për qëllim të bëjë përgatitjen dhe aftësimin e pjesëmarrësve për kryerjen e Operacioneve Reale të Kërkim Shpëtimit Urban”.

Tutje, Mehaj njoftoi se Qendra Ndërkombëtare për Kërkim-Shpëtim ka ngritur hapësira trajnuese duke krijuar infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e trajnimit dhe certifikimin e kuadrove./Shqip.com