Gjatë tetorit në Kosovë pritet të zbarkojë një delegacion i lartë nga Brukseli, në lidhje me Kartonin e Gjelbërt

Zyrtarë të Këshillit të Byrove, do të vijnë në vendin tonë për të ‘inspektuar’ sektorin e sigurimeve, para se të japin vendimin final rreth lejimit ose jo të marrjes së Kartonit të Gjelbër nga Kosova.
Burime të Shqip.com, të përfshira në këtë proces, kanë bërë të ditur se zyrtarët nga Brukseli do të informohen me masat e marra për uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara dhe të pasiguruara, që ishte pengesë bashkë me të qenit anëtarë të OKB-së, që Kosova të bëhej pjesë e këtij këshilli.
Në takimin e mbajtur në fund të korrikut në Bruksel, pala kosovare ka prezantuar zgjidhjen alternative – atë të mbulimit të Kosovës me Kartonin e Gjelbër nga Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë, siç merr vesh Shqip.com, po shqyrtohen edhe disa mënyra për t’i ikur pengesës së të qenit anëtar i OKB-së, formë e cila është aplikuar për disa vende.
Kartoni i Gjelbër është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, e cila pranohet nga autoritetet e të 47 vendeve, ku Kartoni i Gjelbër është i vlefshëm.
Ky lloj sigurimi mbulon dëmet personale ose materiale që mund të shkaktohen, në rast të aksidentit në territorin e një shteti ku vlen Kartoni i Gjelbër. Ky karton merret kur sigurohet vetura dhe vlen në të gjitha shtetet që e kanë në përdorim.
Në vitin 2020, Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bankën Qendrore të Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit janë marrë veshë për të mbuluar primin e sigurimit kufitar për bashkatdhetarët dhe të huajt që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës./Shqip.com