Lajme Ballkan

Mediumi serb: Në Beograd ka nisur të hartohet statuti i Asociacionit

Miroslav Lajçak

“Fondacionit gjerman, “”Friedrich Ebert Stiftung” (FES) dhe Institutit Evropian për Paqe (EIP) u është besuar detyra e hartimit të Statutit të Asociacionit të Komunave Serbe”.

Kështu ka filluar artikullin mediumi serb “Novosti”, ky sipas tyre këto dy organizata kanë punuar gjatë muajve të fundit dhe versioni i rishikuar, bashkë me komentet e Organizatave Joqeveritare në Serbi dhe Kosovë, duhet të përfundojë në tryezën e Miroslav Lajçak, Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas burimeve diplomatike të këtij mediumi, një takim është organizuar në Beograd gjatë së martës, në hapësirat e “Aeroklubit”, që është ndjekur nga përfaqësuesit e OJQ-ve nga Serbia dhe Kosova, misionet ndërkombëtare me bazë në Kosovë, sikurse edhe diplomat gjermanë.

Atyre u është prezantuar drafti i statutit të asociacionit, për të cilin ata do të japin komente dhe sugjerime.

Pala serbe u përfaqësua nga Milica Andrić Rakić, Jovana Radosavljević, Aleksandar Rapajić, si dhe Jovana Spremo nga Beogradi, nga JUKOM.

Mediumi serb pretendon se pala e tretë do të jetë Gjermania, për të cilën shkruan se është e përfshirë drejtpërdrejt në proces përmes FES-it dhe thotë se në takim u tha se Berlini zyrtar është i hapur për sugjerime.

“Në bazë të draft-statutit të paraqitur, përfaqësuesit e OJQ-ve, ndër të tjera, kishin dilemë nëse Asociacioni është person juridik apo duhet të jetë organ shtetëror. Ata shprehën frikën e tyre se serbët do të kishin edhe më pak të drejta sipas këtij drafti sesa ato që u jepen aktualisht nga e ashtuquajtura Kushtetuta e Kosovës. Ata i ka shqetësuar edhe fakti se teksti thekson se gjithçka duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese atje tashmë ka deklaruar se Asociacioni nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik.

Më pas, kritikat e paraqitura në takim, sipas një vlerësimi objektiv, duhet të përfshihen në draftin përfundimtar të statutit të Asociacionit, i cili do të përgatitej nga “Friedrich Ebert” dhe Instituti Europian për Paqe dhe i cili përfundimisht do t’i dërgohej Lajçakut për përdorim dhe ofertë të mëtejshme palës serbe dhe asaj shqiptare në dialog”./SHQIP.com