OVL e UÇK-së do të marrë pjesë në protestën kundër vizitës së Trendafilovës

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë do të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Partia Social Demokrate kundër vizitës së Ekaterina Trendafilovës.
Përmes një postimi në Facebook, kryetari i kësaj organizate, Faton Klinaku ka thënë se shoqëria është mjaftë e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet e pushtuesve por janë duke e përdorur shpifje kundër UÇK-së.
“Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit, por përkundrazi po përdoren shpifjet e tyre për ta gjykuar UÇK-në. Prandaj, edhe për shumë arsye të tjera, mbështesim dhe marrim pjesë në protestën e organizuar më 21.09.2022 (e mërkurë), ora 10:00, Hotel “Astoria”, Gjilan, për të kundërshtuar vizitën e znj. Ekaterina Trendafilova”, shkroi Klinaku.
Klinaku tha se roli i kryetarës së gjykatës nuk është edukimi i shoqërisë civile dhe mediave sepse shoqëria është e edukuar për të kuptuar se çfarë po ndodh me gjykimet politike në Hagë.
“Roli i secilit gjykatës, e aq më pak roli i kryetares së një Gjykate (në këtë rast pseudogjykatës speciale), nuk është që të edukoi shoqërinë civile e mediat. Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se çfarë po ndodh me gjykimet politike në Hagë; Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se njerëzit mbahen pengje që dy vite në paraburgim atje”.
Partia Social Demokrate e Kosovës pritet që me datën 21 shtator duke filluar nga ora 10:00 të organizojë protestë kundër vizitës së Ekaterina Trendafilova
E këtë protestë pritet ta përkrahin edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Faton Klinaku në një përgjigje për Shqip.com është shprehur se kushdo që organizon protestë kundër Gjykatës Speciale e ka mbështetjen tonë.
Lexo edhe:
Molliqaj bën thirrje edhe njëherë për tu bashkuar në protestë, kjo vizitë është e padëshirueshme
“Kushdo që proteston kundër Gjykatës Speciale e ka mbështetjen tonë”, ka thënë Klinaku.
Ai ka thënë se kjo Gjykatë është një gjykatë e cila nuk e respekton shtetin e Kosovës, as ligjet e as kushtetutë.
Molliqaj edhe më herët kishte deklaruar se protesta do të mbahet kurdo që ajo vjen në Kosovë.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, pritej që ta vizitonte Kosovën me 4 korrik por që vizita e saj ishte anuluar.
Theksojmë se vizita e fundit e Trendafiloves në Kosovë ishte në shtator të 2021-tës.
Trendafilova, kishte thënë se kjo gjykatë e cila po mban në paraburgim ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e sheh shumë të rëndësishme mbrojtjen e dëshmitarëve.
Ajo kishte thënë se Gjykata Speciale u bë funksionale me buxhet të ndarë nga Bashkimi Evropian (BE) dhe se nuk dihet se kur do të përfundojë puna e kësaj gjykate./Shqip.com